A retroactive manifesto for Manhattan
Rem Koolhaas
Shqipërim i hyrjes e kapitullit të parë
Efijeni Kokëdhima
Shënim:
1. Nuk është e unifikuar qasja ndaj emrave të perveçëm të huaj (nëse do të shqipërohen në bazë fonetike apo do të lihen në variantin e tekstit origjinal) ndaj në tekst gjenden të dyja variantet.
2. Shumë nga kapitujt kanë referencë imazhe të cila thjeshtojnë kuptimin mbi to. Në këtë tekst nuk janë paraqitur këtoimazhe.
“Filozofët e filologët duhet së pari të shqetësohen për metafizikën poetike; shkenca që kërkon prova jo në botën e jashtme, por në çdo ndryshim të mendjes që e mediton. Bota e popujve përbëhet nga njerëzit; brenda mendjeve të tyre duhen kërkuar parimet.”
Gianbattista Vico, Parimet e një Shkence të Re, 1759
“Përse e kemi mendjen për sa kohë s’na zë udhën?”
Fyodor Dostoyevski
MANIFEST
Si të shkruhet një manifest (mbi një formë urbanizmi për ç’i mbetet shekullit të njëzetë) në një epokë të neveritur me të? Dobësia fatale e manifesteve është mungesa e theksuar e dëshmive në to.
Problemi i Manhatanit është e kundërta: një mal me dëshmi e asnjë manifest.
Ky libër u ngjiz mbi këto dy vëzhgime; një manifest prapaveprues për Manhatanin.
Manhatani është Rosetta Stone i shekullit të njëzetë.
Pjesë të mëdha të tij janë pushtuar nga mutacione arkitektonike (Central Park, Qiellgërvishësi), fragmente utopike (Rockefeller Center, the UN Building) dhe fenomene irracionale (Radio City Music Hall). Bashkëngjitur tyre, çdo bllok është i mbuluar nga shtresa arkitekture fantazëm, në formën e pushtimeve të shkuara, projekteve të abortuara e fantazive popullore që servirin imazhe alternative të Nju Jorkut ekzistues.
Sidomos ndërmjet 1890 dhe 1940 një kulturë e re (epoka e Makinerive) përzgjodhi Manhatanin si laboratorin e saj. Një ishull mitik, ku shpikja dhe testimi i nje stili jete metropolitan me arkitekturën përkatëse mund të ndiqeshin si një eksperiment kolektiv. I gjithë qyteti u kthye në fabrikën e një eksperience krijuar nga njeriu; e vërteta e natyralja ndaluan se ekzistuari.
Ky libër intepreton Manhatanin; i jep ngjarjeve të tij të shkëputura e kontradiktore një nivel qëndrueshmërie e koherence.
Ky interpretim synon të themelojë Manhatanin si një produkt teorie të paformuluar, Manhatanizëm, programi i së cilës është ekzistenca në një botë totalisht të fabrikuar nga njeriu. “Të jetosh në fantazi”; kaq ambicioze, sa për t’u realizuar, nuk duhet thënë kurrë me zë të lartë.
EKSTAZIA
Nëse Manhatani endet në kërkim të një teorie, atëherë teoria e tij sapo të identifikohet, duhet të kërkojë një formulë për një arkitekturë njëkohësisht ambicioze po aq sa të përqafuar nga masat.
Manhatani ka gjeneruar një arkitekturë të paturp, një arkitekturë të adhuruar aq sa të pambrojtur nga vetëurrejtja.
Manhatani ka frymëzuar vazhdimisht tek spektatorët e tij, ekstazinë për arkitekturën.
Përveç, ose ndoshta prej kësaj, performanca dhe nënkuptimet e tij janë injoruar vazhdimisht e madje shtypur nga mendimi arkitektonik profesionist.
DENDËSIA
Manhatanizmi është një ideologji urbanistike që ka ushqyer që në ngjizje shkëlqimet dhe mjerimet e gjendjeve urbane (hiper-densitetin) pa humbur asnjeherë besimin në bazën e saj, kulturën e dëshirimit. Arkitektura e Manhatanit është një Paradigmë për Shfrytëzimin e Mbipopullimit.
Formulimi prapaveprues i programit të Manhatanit është një operacion polemik.
Ai shpalos një numër të konsiderueshëm strategjish, teorish dhe zbulimesh që jo vetëm i japin logjikë dhe motiv performancës së shkuar të qytetit, por përligjin argumentin për një ardhje të dytë të Manhatanizmit, këtë epokë-doktrinë të artë që mund ta kapërcejë ishullin nga niveli i tij fillestar, drejt një pozicionimi dinjitoz mes urbanizimeve bashkëkohore.
Me Manhatanin si shembull, ky libër është një projekt për “Kulturën e Përafrimit”.
PROJEKT
Projektet nuk kërkojnë të parashikojnë të ardhmen; përshkruajnë gjendje ideale që mund vetëm të përafrohen. Në të njëjtën mënyrë, ky libër përshkruan një Manhatan teorik, një Manhatan si hamendësim, ku qyteti i tanishëm është një realizim i kompromentuar dhe i papërsosur.
Nga të gjithë episodet e urbanizimit të Manhatanit, ky libër izolon vetëm ato momente ku projekti është më së shumti i dukshëm e bindës. Duhet, e në mënyrë të pashmangshme, do të lexohet kundër rrymave të analizave negative që lindin nga Manhatani për Manhatanin dhe që e kanë etiketuar forcërisht si Kryeqytetin e Krizës së Përhershme.
Veç nëpërmjet rindërtimit spekulativ të një Manhatani perfekt mund të lexohen saktë sukseset dhe dështimet e tij monumentale.
BLLOK
Në terma strukturore, ky libër është një imazh i Gridit, rrjetit urban, të Manhatanit; një koleksion blloqesh ku nëpërmjet ballafaqimit përforcohen kuptimet e tyra të veçanta.
4 blloqet e para- Ishulli Coney, Qiellgërvishësi, Rockefeller Center dhe Europeans- paraqesin ndryshimet e Manhatanizmit si procese të nënkuptuara, më shumë sesa doktrina të qarta.
Tregojnë progresionin (dhe për pasojë rënien) e këmbënguljes së Manhatanit për të larguar sa më shumë territorin prej natyroresme mjetet njerëzore.
Blloku i pestë- shtojca- është një seri projektesh arkitektonike që ngurtësojnë Manhatanizimin si një doktrinë të dukshme dhe negociojnë tranzicionin nga prodhimi i pandërgjegjshëm arkitektonik i tij drejt një faze të vetëdijshme.
SHKRUESI FANTAZMË
Yjet e kinemasëqë mbartën jetë plot aventura, janë shpesh shumë egocentrikë për të zbuluar motive të përsëritura, shumë të paartikuluar për të shprehur qëllime, shumë të shpërqendruar për të regjistruar e kujtuar ngjarje. Ca shkrues fantazëm gjenden gjithnjë për këtë.
Në të njëjtën formë, unë u gjenda si shkruesi fantazëm i Manhatanit.
(me ndërlikimin e shtuar që burimi e subjekti im kaloi në sklerozë para se “jeta” e tij të konsumohej.
Prej kësaj, fundin u desh ta krijoja vetë).
PARAHISTORIA
PROGRAM
Cila racë populloi e para ishullin e Manhatanit?
“Ata ishin, por nuk janë më.”
“Gjashtëmbëdhjetë shekujt e epokës kristiane u rrokullisën në të shkuarën; asnjë gjurmë civilizimi nuk u dallua aty ku sot qëndron një qytet i shquar për tregëti, inteligjencë dhe pasuri.”
“Fëmijët e egër të natyrës, të pashqetësuar nga njeriu i bardhë, endeshin në pyjet e saj, shtynin kanoet e tyre të lehta përmes ujërave të qetë. Por s’do të ishte e largët koha kur strehat e barbarëve do të pushtoheshin nga të panjohur që do të vendosnin themelet modeste të një shteti të fuqishëmdhe do të shpërndanin gjithandej në rrugën e tyre parime shfarosëse, me fuqinë e rritjes konstante, e nuk do të refuzonin kurrë të vepronin derisa raca vendase të çrrënjosej dhe kujtimi i tyre…. të dëbohej parajsës. Civilizimi, me origjinën prej lindjes, kishte arritur kufijtë perëndimorë të botës së vjetër. Ishte momenti të tejkalohej pengesa që kishte vështirësuar zhvillimin e tij dhe të depërtohej pylli i një kontinenti që sapo u ishte shfaqur shikimeve të mrekulluara të miliona të krishterëve.”
“Barbaria amerikano-veriore do t’ia linte vendin rafinimit Europian.’
“Në mes të shekullit të 19-të, mbi 200 vite prej eksperimentit Manhatan, shpërthen një vetëdije e papritur mbi veçantinë e tij. Ështe urgjente tanimë nevoja për të mitizuar të kaluarën dhe rishkruar një histori që do t’i shërbejë të ardhmes së tij.”
Citimi i mësipërm i1949-ës, përshkruan programin e Manhatanit; shpërfillës ndaj fakteve, identifikon me përpikmëri qëllimet e tij. Manhatani është nje teatër progresi.
Protagonistët e tij janë ‘parimet shfarosëse, që në fuqinë e një rritjeje konstante, nuk do të ndalonin asnjeherë së vepruari’. Fabula: barbarizmi që i hap rrugë rafinimit.
Nga këto të dhëna, e ardhmja e tij është objekt i përhershëm spekulimi; prej parimeve shfarosëse të vazhdueshme, rrjedh se çfarë është rafinim një moment, do të jetë barbari në tjetrin.
Për pasojë, performanca nuk do të mund të ndalojë kurrë, as të zhvillohet përgjatë një trajektoreje të zakontë; mund vetëm të jetë një pohim ciklik i së njëjtës temë; krijimi dhe shkatërrimi, pashmangshmërisht të lidhura, në rindërtim të përhershëm.
Tensioni i vetëm në shfaqje vjen nga përshkallëzimi i vazhdueshëm i performancës.
PROJEKTI
“Për shumë njerëz në Europë, faktet për Amsterdamin e Ri ishin pa rëndësi. Edhe një imazh i rremë do të mjaftonte, mjaft t’i përshtatej idesësë tyre të kuptimit mbi qytetin...”
Në 1672, një gravues francez, Jollain, i tregon botës një pamje panoramike të Amsterdamit të Ri.
Ishte tërësisht e pavërtetë; asnjë prej informacioneve që komunikonte nuk bazohej në realitet. Gjithsesi, ishte një përshkrim, ndoshta aksidental, i projektit Manhatan; nje fantashkencë urbane.
Në qendër të imazhit shfaqet një qytet europian i rrethuar me mure. Arsyeja e ekzistencës, si në Amsterdamin origjinal, është një port linear përgjatë gjatësisë së qytetit që lejon hyrjen e drejtpërdrejtë në të.
Një kishë, një bursë, një bashki, një pallat drejtësie, një burg dhe, jashtë murit, një spital plotëson organizmin e civilizimit mëmë. Veçse disa pajisje të trajtimit dhe ruajtjessë lëkurëve të kafshëve vërtetojnë vendodhjen e tij në Botën e Re.
Jashtë mureve, në të majtë, duket një zgjatim premtues-pas afro 50 vitesh ekzistencë- i një fillimi të ri në formën e një sistemi të strukturuar prej blloqesh identikë. Blloqet, të aftë për t’u zgjeruar përgjatë gjithë ishullit, ndërpriten prej një diagonaleje alla Broadway.
Peizazhi i ishullit ndryshon nga i sheshtë në malor, nga i egër në gjakftohtë; klima varion prej verave mesdhetare (jashtë mureve është një fushë kallam sheqeri) dhe dimrave të hidhur.
Të gjithë përbërësit e hartës janë europianë; por, të marrë peng nga konteksti i tyre e të transferuar në një ishull mitik, ata janë ribashkuar në një të tërë të padallueshme; një Europë utopike, produkt i shypjes dhe dendësisë. Tanimë, shton gravuesi, ‘qyteti është i famshëm për numrin shumë të madh të banorëve…’
Qyteti është një katalog modelesh dhe preçedentësh; të gjithë elementet e dëshiruar që ekzistojnë të shpërndarë në Botën e Vjetër, montohen më në fund në një vend të vetëm.
KOLONI
Përveç indianëve, që kanë qenë përherë këtu- Weckquaesgeck në jug, Reckawawacks në veri, të dyja pjesë e tribusë Mohikane, Manhatani u zbulua në 1609 nga Hendry Hudson në kërkimin e tij për një rrugë te re në Indi nga veriu, për llogari të Kompanisë Hollandeze të Indisë Lindore.
Katër vite më vonë, Manhatani pozicionoi e ndërtoi katër shtëpi (të dallueshme si të tilla për sytë Perëndimorë) ndërmjet kasolleve indiane.
Në 1623 tridhjetë familje lundruan nga Hollanda në Manhatan, për të ndërtuar koloni. Me ta ishte Cryn Fredericksz, një inxhinier që kishte me vete material të shkruar mbi ‘si duhej të shtrihej një qytet’.
Meqënëse i gjithë shteti i tyre është produkt i njeriut, nuk ka “aksidente” për hollandezët. Ata planifikojnë ngulimin e Manhatanit si të ishte pjesë e atdheut të tyre të fabrikuar.
Thelbi i qytetit të ri do të jetë një fortesë pentagonale. Fredericksz dëshiron ‘të testonjë një kanal 24 këmbë të gjerë dhe 4 këmbë të thellë, kufizues i një drejtkëndëshi me gjerësi 2000 këmbë që zgjerohet pas 1600 këmbë nga uji...’ “Nga pjesa e jashtme e kanalit rrethues konfiguruar si më sipër, 200 këmbë do të shtroheshin në zonën e brendshmë të 3 anëve A, B, C, për qëllimin e vendosjes aty të shtëpive të fermerëve dhe kopshteve të tyre. Pjesa e mbetur, do të ruhet bosh për ndërtimin e shtëpive në të ardhmen…’(imazh referencë)
Jashtë fortesës, në anën tjetër të kanalit, do të jenë 12 ferma që shtrihen në sistem parcelash drejtkëndore, ndarë nga kanale.
Por ‘kjo strukturë simetrike e pastër, ngjizur në sigurinë e rehatinë e zyrave të kompanisë në Amsterdam, u provua si e papërshtatshme në Manhatan…’
Një fortesë më e vogël ndërtohet; pjesa tjetër e qytetit shtrihet në një mënyrë relativisht të çrregullt.
Edhe një herë të vetme herë instikti Hollandez për rregull pohon vetveten; kolonizatorët ndërtojnë nga themeli një kanal drejt qendrës së qytetit. Në të dyja anët është një koleksion shtëpish hollandeze me çati njëkulmëshe, mbartëse të iluzionit se transferimi i Amsterdamit në Botën e Re ishte një sukses.
Në 1626 Peter Minuit blen ishullin e Manhatanit për 24 dollarë nga ‘indianët’. Por transaksioni është një veprim fals; shitësit nuk janë pronarë të ishullit.
Ata as që jetojnë aty.
Ata janë thjesht vizitorë.
PARASHIKIMI
Në 1807 Simeon deWitt, Gouverneru Morris dhe John Rutherford u ngarkuan me detyrën e projektimit të planit përfundimtar të zaptimit të Manhatanit. Katër vite më pas ata shpalosin propozimin për demarkacionin që ndan të njohurën nga e panjohura pjesë e qytetit;12 bulevarde shtrihen veri-jug dhe 155 rrugë lindje-perëndim.
Me këtë veprim të thjeshtë, ata derivojnë në një qytet prej 13x156=2028 blloqesh (duke përjashtuar aksidente topografike); një matricë që mbërthen, në të njëjtën kohë, të gjithë territorin e mbetur dhe gjithë aktivitetin e ardhshëm në ishull.
Gridi (Rrjeti urban) i Manhatanit.
Mbrojtur nga autorët e tij si motivues i ‘blerjes, shitjes dhe përmirësimit të pronës së patundshme,’ kjo ‘Apoteozë e rrjetit dretkëndor urban’- ‘e aftë të joshë mendjet e pasofistikuara’ - konsiderohet, 150 vite pas mbivendosjes së saj në ishull, një simbol negativ i mendjeshkurtësisë dhe interesave tregtare.
Në fakt, ai është akti më guximtar i parashikimit të civilizimit Perëndimor: toka që copëton, e pazënë; popullsia që përshkruan, e hamendësuar; ndërtesat që vendos, fantazma; aktivitetet që kornizon, jo ekzistuese.
RAPORT
Thelbi i raportit të Komisionerëve prezanton atë që do të bëhet strategjia kyçe e performancës së Manhatanit: ndarja drastike ndërmjet qëllimeve të momentit dhe atyre të përmendura, formula që krijoi një tokë kritike të askujt në të cilën Manhatanizmi të mund të ushtronte ambicjet e tij.
“Një nga elementet e para që deklaronte qëllimet e tyre ishte forma dhe mënyra në të cilën bizneset do të zhvilloheshin; thënë këtë, nëse do të kufizonin veten në rrugë drejtvizore ose nëse do të zhvilloheshin në rrathë, ovale dhe yje. Secili konfigurim do të krijonte një plan, sido që të ishin efektet e tij në funksionalitet dhe komoditet. Qyteti fillimisht kompozohet prej ngulimeve të njerëzve; shtëpitë me kënd të drejtë, janë më të lirat për t’u ndërtuar dhe më komodet për t’u banuar. Efekti i këtyre refleksioneve të thjeshta dhe të qarta ishte vendimtar…”
Manhatani është një polemikë utilitare.
‘Mundet, për shumëkënd, të jetë e habitshme që janë lënë kaq pak hapësira boshe, dhe këto të pamjaftueshme për përfitimin e ajrit të pastër dhe mirëqenien shëndetësore.
Manhatani është një kundër-Paris, një anti-Londër.
‘Për disa mund të jetë e habitshme që qyteti nuk është shtrirë përgjatë gjithë ishullit; për disa argëtuese që Komisionerët kanë parashikuar hapësirë për një popullsi më të lartë sesa mund të grumbullojë kjo anë e globit.
“Ata mund të jenë udhëhequr në këtë aspekt nga forma e tokës… Për t’i rënë shkurt me shtrirjen, mposhtën pritshmëritë dhe të arsyeshmen e shkuan më larg…furnizuan me material shpirtin e dëmshëm të spekulimit…”
Gridi është, mbi të gjitha, një spekulim konceptual.
Me gjithë neutralitetin e tij, ai stimulon mospërfillojen ndaj topografisë; gridi deklaron epërsinë e ndërtimit mendor ndaj realitetit.
Thurja e rrugëve dhe blloqeve shpall pavarësinë, deri në zhdukje të natyrës, si ambicjen e tij të vërtetë.
Të gjithë blloqet janë të njëjtë, njëtrajtshmëria e tyre zhvlerëson në të njëjtën kohë, të gjithë sistemet e artikulimit dhe diferencimit që kanë drejtuar projektimin e qyteteve tradicionale.
Gridi bën historinë e arkitekturës dhe të gjitha mësimet e mëparshme të urbanizimit, të pavenda; motivon ndërtuesit e Manhatanit të zhvillojnë një sistem të ri të vlerave formale, të shpikin strategji për ndarjen e një blloku prej një tjetri.
Disiplina dy dimensionale e gridit krijon një anarki të paimagjinuar të lirisë për tre dimensionalitet. Gridi përcakton një balancë të re ndërmjet kontrollit dhe moskontrollit; një qytet mund të jetë në të njëjtën kohë i rregullt dhe fluid, metropolis dhe kaos i ngurtësuar.
Me imponimin e tij, Manhatani është imun përjetë ndaj çdo ndërhyrjeje (tjetër) totalitare. Në një bllok të vetëm, hapësira më e madhe që mund të vendoset nën kontroll arkitektonik, zhvillon një njësi maksimum për Egon Urbane.
Për sa kohë nuk ka shpresë që pjesë më të mëdha të ishullit të mund të zotërohen nga një klient ose arkitekt i vetëm, çdo qëllim, çdo ideologji arkitektonike, duhet të zhvillohet e përmbyllet brenda kufirit të bllokut.
Meqënëse Manhatani është i fundëm dhe numri i blloqeve të tij i fiksuar përgjithmonë, qyteti nuk mund të rritet në ndonjë mënyrë konvencionale.
Planifikimi nuk mund të formëzojë një konfigurim specifik të ndërtimit, e të pretendojë se do të mbetet statik për vitet; mund thjesht të parashikojë se ngjarjet do të ndodhin diku mes 2028 blloqeve të gridit.
Rrjedh se një formë e pushtimit njerëzor mund vetëm të themelohet në koston e një tjetre.
Qyteti bëhet një mozaik episodesh që kundërshtojnë njëri tjetrin përmes mjetit Grid.
IDHULL
Në 1845 nis e shfaqet një model i qytetit. Si fillim, ai shfaqet brenda qytetit në vetvete. Më pas, merr trajtën e një objekti lëvizës që kundërshton vetëadhurimin në rritje të Manhatanit. ‘Homologu i Metropolosit të madh’ është “një klon perfekt i Nju Jorkut, i cili përfaqëson secilën rrugë, tokë, ndërtesë, strehë, park, gardh, pemë e çdo objekt tjetër në qytet… mbi këtë model, një çadër druri të gdhendur artizanalnë arkitekturë gotike, paraqet bizneset themeluese të qytetit në piktura të rafinuara prej vaji...”
Ikonat e fesë janë zëvendësuar nga ato të ndërtimit.
Arkitektura është feja e re e Manhatanit.
TAPET
Deri në 1850, popullsia shpërthyese e Nju Jorkut është gati të gllabërojë pjesën e mbetur të gridit si një dallgë e marrë. Plane urgjente ndërmerren për të rezervuar vende akoma të lira për parqe. Por ‘ndërkohë që diskutojmë mbi subjektin, popullsia në rritje e qytetit po vendoset dhe ndryshon horizontet tona…’
Në 1853 ky rrezik mënjanohet me takimin e Komisionerëve të Përafrimit dhe Vlerësimit, që do të marrin dhe testojnë tokë për një park në një zonë të përcaktuar ndërmjet bulevardit të Pestë e të Tetë dhe atij të 59të dhe të 104t.
Central Park nuk është veç hapësira kryesore e argëtimit të Manhatanit; ai gjithashtu regjistron zhvillimin e tij. Central Park është balsamosje e natyrës, skenë e përjetshme eteatrit ku kultura lë pas natyrën. Ashtu si gridi, ai është një kapërcim kolosal i së arsyeshmes. Kontrasti që ai sot mbart ndërmjet së ndërtuarës dhe së pandërtuarës, nuk ekzistonte pothuaj fare në kohën e tij të krijimit.
“Do të vijë dita kur Nju Jorku të ndërtohet i gjithi, ku i gjithë klasifikimi dhe mbushja të mbarojë, dhe formacioni i ndryshueshëm piktoresk prej guri i ishullit të shndërrohet në formacione vargjesh e vargjesh të rrugëve monotone të drejta, dhe pirgjeve të ndërtimeve vertikale. Nuk do të mbetet më vend për ndryshim të sipërfaqes ekzistuese, me përjashtimin e disa akrave të përfshira në një park.”
“Atëherë vlera e jashtëzakonshme e siluetave momentale piktoreske të tokës do të perceptohet ndryshe, dhe aftësia e tij e përshtatjes për këtë qëllim do të njihet plotësisht. Pra duhet të ndërhyhet sa më pak të jetë e mundur në siluetat e tij të thjeshta dhe të valëzuara, në peizazhin piktoresk e te gurtë, e njëkohësisht të përpiqemi shpejt, dhe në cdo mënyrë të ligjshme, të zhvillojmë këto burime veçanërisht individuale dhe karakteristike të efekteve të peizazhit…’
“Të ndërhyet sa më pak të jetë e mundur,’ por në anën tjetër “të rriten dhe zhvillohen efektet e peizazhit’: nëse Central Park do të mund të lexohet si një operacion ruajtjeje, është, akoma edhe më, një seri manipulimesh dhe transformimesh të natyrës së balsamosur prej projektuesve të tij.
Liqenet e tij janë artificialë, pemët e tij të transplantuara (mbjella), aksidentet e tij të simuluara, incidentet e tij të mbështetura nga një infrastrukturë e padukshme që i kontrollon. Një katalog elementesh natyralë janë marrë prej kontekstit të tyre origjinal, riformuar dhe ngjeshur në një sistem të natyrës që e bën linearitetin e Mall-it më pak formal sesa informalitetin e planifikuar të Ramble-it.(referencë imazhi mbi Ramble dhe Mall)
Central Park është një Tapet Idilik-Sintetik.
KULLA
Shembulli frymëzues i Panairit Ndërkombëtar të Londrës, mbajtur në 1852 në Pallatin e Kristaltë, ngacmon ambicjen e Manhatanit. Dy vite më vonë, ai organizon panairin e vet, duke lëshuar deklaratën e epërsisë së tij, në pothuaj çdo aspekt, mbi çdo qytet tjetër amerikan. Në këtë kohë, qyteti vështirë zgjatet në veri të rrugës së 42-të- larg Gridit të gjithëpranishëm. Përveç zonës së Uoll Stritit, që duket pothuaj rurale: shtëpi të shkëputura jane shpërndarë nëpër blloqe mbuluar nga bari. Panairi, i vendosur në atë që do të bëhet Bryant Park, shenjohet nga dy struktura kolosale që sundojnë tërsisht zonën përreth, duke prezantuar një shkallë të re në horizontin e ishullit, lehtësisht mbizotëruese.
E para është një version i Pallatit të Kristaltë të Londrës, por duke qenë se ndarja në blloqe nuk lejon strukturat përtej një madhësie të caktuar, vetë objekti është një formë kryqi.
Aty ku krahët e tij priten, ngrihet nje kupolë gjigande.
‘Brinjët e tij te holla duken të papërshtatshme për të përballuar madhësinë e tij e për pasojë ngjan si një balonë e fryrë në padurim për të fluturuar në qiellin e largët…”
Struktura e dytë plotësuese është një kullë në anën tjetër të rrugës 42: Observatori Latting, 350 këmbë i lartë.
‘Nëse përjashtojmë kullën e Babelit, ky mund të quhet qiellgërvishtësi i parë në botë…’
Është ndërtuar në dru të lidhur me hekur, dhe baza e tij përbëhet nga dyqane. Një ashensor avulli, është hyrja për katin e parë dhe të dytë ku janë vendosur teleskopët.
Për herë të parë, banorët e Manhatanit mund të inspektojnë territorin e tyre. Për të patur perceptimin e ishullit si një e tërë, është e nevojshme vetëdija për kufizimet dhe qëndrueshmërinë e përmbajtjes së tij.
Në këtë vetëdije të re të kufizimeve, fusha e ambicjeve të tyre mund veç të rrisë intensitetin e saj.
Këto inspektime nga qielli bëhen një temë e përsëritur për Manhatanizmin, vetëdija gjeografike që gjenerojnë është përkthyer në spërkatje të energjisë kolektive, qëllimeve të përbashkëta megalomane.
SFERA
Pallati i Kristaltë i Manhatanit përmban, si çdo Panair i hershëm, një ballafaqim tëprodhimit të marrë të produkteve tëpavlera Viktoriane (tani që makineritë mund të imitonin teknikat e veçantisë) që festojnë demokratizimin e objektit.Në të njëjtën kohë, ai ështënjë kuti Pandore me teknika dhe shpikje tërësisht të reja dhe revolucionare, të cilat, ndonëse janë në papajtim me njëra-tjetrën, do të lëshohen në ishull.
Për mënyra të reja të transportit masiv, propozohensisteme infrastrukturore të nëntokës, nivelit të tokës, dhe lartësisë. Secila prej tyre racionale në vetvete, po aq sa shkatërruese për logjikën e tjetrës nëse aplikohen njëkohësisht.
Për shkak të përmbajtjes së këtij kafazi gjigand, Manhatani do të shndërrohet në ishullin Galapagos të teknologjive të reja, ku bëhet e pashmnagshme lufta mes specjeve te makinerive për ekzistencë.
Përgjatë shfaqeve, në kupolë është shpikja qe do të ndryshojë fytyrën e Manhatanit (dhe, në një shkallë më të vogël, të së gjithë botës): ashensori.
Prezantohet në publik si shfaqje teatrale.
Elisha Otis, shpikësi, hipën mbi një platformë që ngjitet. Por kur ajo arrin nivelin më të lartë, një asistent prezanton Otisin duke mbajtur një jastëk kadife me një thikë mbi të.
Shpikësi merr thikën, sulmon elementin thelbësor të shpikjes së tij: kabllin që ngriti platformën sipër dhe që tani e mban prej rënies. Kablli pritet; shfaqja ngec. Asgjë nuk i ndodh platformës ose shpikësit.
Mbajtëse të padukshme sigurie- thelbi i brilancës së Otisit- shmangin platformën nga takimi me tokën.
Otis prezanton një shpikje në teatricitetin urban: dështimin si përfundim, mungesën e ngjarjes si triumf.
Si ashensori, çdo shpikje teknologjike është e mbarsur me një imazh të dyfishtë: në suksesin e saj është spektri i dështimit të mundshëm.
Mënyrat e shmangies së katastrofës fantazëm janë pothuaj aq të rëndësishme sa vetë shpikja.
Otis ka prezantuar një temë që do të jetë lajtmotivi i zhvillimit të ardhshëm të ishullit: Manhatani është një akumulim katastrofash që nuk ndodhin kurrë.
KONTRASTI
Obstervatori Latting dhe kupola në Pallatin e Kristaltë prezantojnë një kontrast arketipik që do të rishfaqet përgjatë historisë së Manhatanit në mishërime të reja.
Gjilpëra dhe globi përfaqësojnë dy ekstremet e fjalorit formal të Manhatanit dhe ekstremet e zgjedhjeve të tij arkitektonike. Gjilpëra është më e holla, me volumin minimal për të shenjuar një vendodhje në grid; kombinon impaktin maksimal fizik me konsumin minimal të tokës... është një ndërtesë pa brendi.
Globi (sfera) është matematikisht forma që përmbyll maksimumin e volumit të brendshëm me minimumin e lëkurës së jashtme. Ka një kapacitet imoral për të thithur objekte, njerëz, ikonografi, simbolika; i lidh ato përmes bashkekzistencësnë brendi.
Në shumë mënyra, historia e Manhatanizmit si arkitekturë e veçantë, indetifikuese, është një dialektikë mes këtyre dy formave, me gjilpërën që dëshiron të bëhet glob, dhe globit që përpiqet, prej kohës në kohë, të kthehet në gjilpërë- një fertilizim i kryqëzuar, krijues i një serie hibridësh të suksesshëm, ku kapaciteti i gjilpërës për të rrëmbyer vëmendje dhe modestia e saj territoriale kombinohen me aftësinë e pranimit të përkryer të sferës.