Në Tokë Jemi Shkurtimisht të Mrekullueshëm


Më thuaj se ishte prej urisë
& asgjë më shumë. Prej urisë është t'i japësh
trupit çka ai di
se s'mund të mbajë dot. Se kjo dritë e zbehtë
që shuhet nga një tjetër luftë
është gjithë ç'më mbeti në duar
në kraharorin tënd.


                                    unë


Ti, duke u mbytur
            mes krahëve të mia-
qëndro.


Ti, duke shtyrë trupin tënd
            brenda lumit
për të mbetur vetëm
            me vetveten-
qëndro.


                                  unë


Unë do të të them se e kemi gabim mjaftueshëm që të na falin. Sesi një natë, pasi qëlloi me të pasmen e pëllëmbës
nënën, mori një sharrë në tavolinën e kuzhinës: im at shkoi të gjunjëzohej
në banjë derisa dëgjuam klithmat e tij të mbytyra përmes mureve.
Dhe kështu mësova se një burrë në orgazëm ishte gjëja më e afërt me dorëzimin.


                                 unë


Them dorëzohu. Them alabastër. Teh çelësi.
            Lulemustak. Lule ari. Them vjeshtë.
Them vjeshtë përkundër së gjelbrës
            në sytë e tu. Bukuri përtej
dritës së ditës. Them se do vrisje për të. Mëngjes i pathyeshëm
            që të rritet në fyt.
Përplasja ime poshtë teje
            si një trumcak i shtangur
në rënie.


                                 unë


Muzg: një teh mjalti mes hijeve të tua, duke u tharë.


                                unë


Doja të zhdukesha - ndaj hapa derën e makinës së një të huaji. Ishte i divorcuar. Ishte akoma gjallë. Po qante mes duarve të tij (duar me shije ndryshku). Fjongoja rozë e kancerit të gjirit në tufën e çelësave u lëkund në ndezje. A s'e prekim njëri tjetrin veç për të provuar se jemi akoma këtu? Unë isha akoma këtu dikur. Hëna, e largët & në vibrim, u zu në grackë në rruazat e djersës së qafës sime. E lashë mjegullën të derdhej mes dritares së çarë & të mbulonte dhëmbët e mi të qenit. Kur u largova, Buick-u vazhdoi të rrinte atje, një dem memec në kullotë, me sytë që m’a hidhnin hijen në anë të shtëpive periferike. Në shtëpi hodha veten në krevat si fener & pashë flakët që gërryenin shtëpinë e nënës sime derisa qielli u shfaq, i gjakosur & masiv. Sa shumë doja të isha ai qiell - të mbaja çdo fluturim & rënie njëkohësisht.


                                unë


Them amen. Them përmirësoj.

Them po. Them po

gjithsesi.


                                unë


Në dush, duke djersirë nën ujë të ftohtë, pastroja & pastroja.


                               unë


Në jetën para kësaj, mund të thuhej
se dy njerëz ishin të dashuruar:
se kur ngisnin drejt vendit të takimit
mbi urë, krahët 
u rriteshin në kohën e duhur.


Disa ditë jam akoma në takim.
Disa ditë vazhdoj të pres.


                                unë


Nuk është kaq vonë. Kokat tona të mbytura
          nga mushkonja dhe vera shumë herët akoma
që të lënë ndonjë shenjë.
            Dora jotë nën bluzën time si stativ
intensifikohet në radio.
            Dora tjetër drejton
revolverin e babait
            në qiell. Yjet bien një
nga një në flokët e ngatërruara.
            Do të thotë se nuk do të kem
frikë nëse jemi tani
            këtu. Prej tani, më shumë
sesa mund të mbajë lëkura. Se një trup
            pranë një trupi
krijon një fushë
            plot trokitje. Se emri yt
është vetëm një zhurmë orësh
            që kthehen pas një tjetër orë
& mëngjesi
            gjen rrobat tona
në verandën e përparme të nënës sate, derdhur
             si zambakë të vjetër një javësh.