<
Amor
Pashë eklipsin hënor në TV, bëlbëzonte
të dielën që ishim bashkë, në një llampë fluoreshente duke u kompromentuar
duke u kompromentuar, buzëqeshur, rënkuar, e mbështjellë me verë qershie kineze, isha
duke djegur gaz e duke të të kafshuar qafën, duke të të kafshuar bizhutë, duke të të kafshuar reflektimin në gotë,
e në mban mend, shkuam të bënim krepa aty ku lidheshin monedhat
në dritaren e kuzhinës së mullirit Dimbovita,
për fantazmat e minjve të shfarrosur
e silloja e tij ishte prej tulle të vërtetë,
nuk kish asgjë metafizike që të të ekzaltonte
e gjinjtë po të dilnin prej trupit në muzgun e dimrit
si të ishin vibrime në klasë fëmijësh
mbi zorrë të palëvizshme dhe
llampa,
nuk kishte asgjë metafizike, veç ankth i zbutur,
një kërcitje celofani të purpurt
në korridoret nën gjuhë
dy gishtërinj goditën mbi dy kablla elektrik të izoluar dobët
e në atë kuzhinë të marrosur ti u shfaqe e qartë, transparente
si një gur i çmuar dyqind mijë karate
me shikim depërtova në sistemin tënd tretës
vdekje.
E pashë të mbështetej në gardhin e hekurt të klinikës pulmonare pranë drejtorisë së përgjithshme të ushtrisë
duke ndaluar një fëmijë në trotuar, e duke e dërguar për gazetë e bukë
e pashë vdekjen që e dërgonte për gazetë e bukë në një muzg roz, të pakrahasueshëm, e pashë në karrocë të zymtë dhe të mërzitur, putrat e saj me doreza të ndyra dhe të bardha
duke u përpjekur të arrijë trasenë në derën e përparme
duke lypur me një zë që kërciste përtej lëkurës së zezë,
duke kapur funde dhe duke guxuar me shikimet e xhamta të jetëve të dhelprave
duke kafshuar shoferin,
teksa breza kosi mbretëronin në stomakun e saj mes të ëmblave, kënaqësive dhe biskotave turke
pashë stomakun e saj që rendte në një jastëk ajri mbi rrafshinat e bikinit me xixa
dhe mushkëritë e saj që thithnin lëngje onirike, të argjendta e përfaqësime prej fijesh ari
në vrimën orientale e mistike të një klubi, dhe, ja, ishte sezoni i vrasësve
dhe ajo vallëzonte në zemrën tënde,
kërcinj dhe eshtra,
duke dhënë efektin e dritës blu
e pashë të fliste mbi konjak,
të fliste në mikrofon, të fliste me gojën plot
dhe të luante kitare në krevat
dhe kapelet akullnajore duke folur, hemisferat akullnajore
duke folur vazhdimisht për Markusenë, Antonionin, Stratan,
ngjyra dhe gramatikë, duke folur
në vërtetime rreth të njëjtit labirint në hipertrofi
dhe e pashë vdekjen e panatyrshme, vdekjen e krijuar në laborator
dhe vdekjen që ndizet si një pus nafte
dhe pavetëdija e saj rrotullohet përmes shiritave të veshit dhe bisulfitit në një luzmë
mbi universitetet dhe statujat dhe antenat dhe zinxhirët e liqeneve
dhe para operës, e zvogëlon statujën e Eneskut në një grackë gjigande
dhe e fsheh nën karriget në ëmbëltoren Toska
pashë trupin e saj të zi, të dobët, që hante linjën e metrosë veri-jug, duke rruar tokën
dhe duke u varur aty si një merimangë mëkati nga rrjeta e kanalizimeve.
e pashë vdekjen si një majmun të veshur si marinar
që më vështronte nga kuverta e tretë me sytë e skuqur e të trishtuar
duke peshuar mbi encefalonin e shimpazesë, të pazhvilluar, të pendukuluar
e pashë tek kënaqej për rubinët rreth pankreasit dhe mëlçisë
e pashë tek mbante frigoriferë, tek lëpinte stampa dhe griste fletë të shkruara
duke hapur gojën pa e mbuluar në mëngjese sublime që qelbeshin bromid dhe afrodiziak
ato qëronin vetëdijen time, fshehur nën polipe dhe bajame me blu metileni
dhe e njoha në vizatimet e zbehta në librat e ndeshjeve
paralog i bukurisë, ti dikur dije kaq shumë shaka.
Dhe nëna rreshtoi xhepat e mi me kujtime para luftës dhe martesës
dhe i lashë duart e saj, njëkohshëm të verbra e të mprehta, të kryenin një operacion të komplikuar në trurin tim
e një ekstraktim më të komplikuar të zemrës sime.
Shumë kohë para se të ndërtohej kalimi për në qendër erdhi dimri
e njerëzit ende vërshonin nëntokë, si të drejtuar nga pritja e një arome
dhe aty të huajt paguanin në tarracën ku është tani Hotel Interkonental, cigaret ndezur
kotele embrionale kërcisnin rrugëve pranë tymit të pastiçerisë
isha i komplikuar?
Oh, bakteria erdhi tek unë si në një dyqan a muze
lëkura që më mbulonte kafkën ishte duke zhurmuar atmosferën semantike të uzurpatorit
dhe veshët e mi po dëgjonin gëzimin e brendshëm që gurgullonte
dhe bashkoheshin me fatkqetësinë apokaliptike të bulevardeve dhe kinemave
bukuria e trazuar, brezi i llastikut të natës më ndante nga fetishi orkestral i somnambulëve
fëmija që isha, tani, duke u futur në gji,
goditjet e tij krijojnë një mbulesë shndritëse mbi karrike e ndriçues
pa trup, duke ikur në banjë zbathur,për të mbuluar skuqjet në pasqyrë me shkumën e roztë të rrojes
e duke shtrydhur pastën e dhëmbëve jashtë vrimës së banjës
duke parë drejtpërdrejt në sytë e mi teksa hemisfera cerebrale m’i përplas qetësisht
dhe sjellshëm.
Dashuri, amor, erotikë…
arkitekturë Bauhausi u ngjit si Daikuiri në gota shampanje
Gjurmë të kuqe gjaku të buzëkuqit
ajo do të quhej trashëgimi e duhet të na japë sklerozën heraldike të Matiu Caragiale
dhe universalitetin e komunës Piscu.
Por mendoj se ti preferon lëvizjet përsëritëse
dhe krizën madhështore, histerike
ti preferon fustane të panumërta dhe ndjenja që të përputhen pas gjoksit
preferon njeriun që nuk heq sytë nga figura jote hipnotike, në sytë e tij të vjetër e të lagur
asnjëherë në aldehidin e muzgut, asnjëherë të thyer
në krahët e të cilit arrin në orgazmë si një kandil humori dhe refleksesh të rrjedhshme
që të qetëson, që të mban, dhe para fytyrës sate të bukur, vendos një pasqyrë
që të shohësh veten, të marrosur, buzëqeshur.
Të shohësh vajzën e vogël dhe gruan e re dhe kurvën dhe nënën dhe Elektrën dhe ofertën e vjetër dhe
kryefamiljaren dhe virgjëreshën,
limfatike, sanguine, zemërthyer, kolerike dhe të pandryshuar
vdekja,buzëqeshur…
Eklipsi i hënës bëlbëzoi aq shumë sa ekrani u copëtua, duke na varrosur në një ylber të thyer
xhami
dhe tullat në mullirin Dimbovita janë si një kështjellë e zhytur në Atlantik
dhe marrim telefonata të dëshpëruara nga muzgu i dimrit jashtë që rreh me grushta pardesy të mëdha kurrizat tanë
duke na drejtuar tek kerubini i parë,
ylli i parë, perimja e parë…
nuk kish asgjë metafizike: zhurma e kamionëve, zorrët tona
që dekoronin pemën e dimrit me yje elektrikë
oh, nëse sytë e mbulesës së tavolinës do të mund të flisnin me sutjenat e tua
ti vetë, do hidhje toptha celofani në korridoret e nëngjuhës sime.
Ne mund ta duam njëri-tjetrin,
ta lavdërojmë njëri tjetrin,
ne bëjmë dashuri, flemë bashkë
ne mund ta prekim njëri tjetrin në të ftohtin e ndërgjegjes,
ne mund t’i kafshojmë faqet tona
me dhëmballë tantelle
mund ta zëvendësojmë vdekjen e sfungjertë me asgjënë fluoreshente,
për një diamant
dyqind mijë karat vdekje.
M. Cartarescu