Artisti është, nuk thotë

Ndërsa lexoja sot shkrimin e Adrian Pacit tek Peizazhet e Fjalës, buzëqesha. Elsa është e athët shumë, ndërsa Adriani vjen tepër i ëmbël. Kur i bashkoj të dy, më pëlqen shkrimi, më vjen përplotësues. Diçka si: duhet t'i lexosh të dy për të krijuar imazhin e plotë. Duhej Elsa ama, që të vinte dhe Adriani. 

Problemi (im) është se ka kohë që artisti bashkëkohor e ngre premisën artistike mbi një kontekst historiko/gjeografik, dhe kryesisht mbi një pozicion politik dhe moral- me një “spin” estetik brenda. “Kështu i duan kuratorët artistët e anëve tona”, do thoshte Sabato po të rronte (dicka të ngjashme thotë në bisedat me Borgesin).

Ka kohë që pyes veten nëse arti(sti) duhet të pozicionohet në qëndrim. Qëndrim politik, historik, apo moral- sidomos kjo e fundit. Nëse duhet të tentojë të thojë, apo duhet thjesht të jetë.

Kur sheh “Living Gods of Haiti”, psh, Maya Deren të rrëfen rituale teksa të fut në hipnozë e trupi të del nga kontrolli. S'të flet as për të mirën, as për të keqen, as për të drejtën e as të gabuarën. Asnjë shantazh emocional mbi këtë apo atë grup njerëzish të margjinalizuar. Asnjë bataljon, asnjë barrikadë. Por të thërret brenda saj. E kjo është thellësisht njerëzore.

Artisti, ndoshta më shumë se të tjerët, mbart dimension politik. Dimensioni i tij politik nuk është i barabartë me deklaratat politike përmes artit-aktivizëm. Këtu bëhet gjullurdia. Një rast për mua më treguesi: kur u shemb Teatri, pati deklarata bombastike nga shumë artistë. Me të drejtë, shumë të drejtë. Vetëm njërit nuk iu ndje zëri. Atij që ndoshta i dhembi më shumë se gjithë të tjerëve marrë së bashku. Ervin Hatibit.

Ama, dimesioni i tij politik ka qenë aq i kristaltë prej artit të tij, sa të gjithë e dinim se nga cila anë ishte Ervin Hatibi, ose të paktën, cilën anë frymëzonte.

Artisti është, nuk thotë. Ndaj ajo pyetja, "Ç'donte të thoshte artisti" lind për të justifikuar përtacinë e audiencës a banalitetin e punës së artistit. Dua artistin që me punën e tij më shtrëngon e s’më lë të iki tek pyes veten, "Ç'është ky njeri, ç'e bën për të qarë, ç'ia shtrëngon zemrën, ç'e bën të ikë e të zhduket e të mos jetë më këtu".

Lexoj pastaj shkrime me maninë për të izoluar fenomenet problematike brenda kufijve tona- psh "festivalizimi" apo "eventizimi" i artit që i faturohet Ajolës&co është komplet idiot. Në ka një problem gjithandej në botë është pikërisht ky. Fakti se nëse heq eventin apo festivalin nga artisti, e ke lënë pa mundësi ekspozimi, pa bukë, se ka vdekur raporti artist, vepër arti, shitje, pare. Po është kthyer në jetesë me fonde, për rrjedhojë, zgjatim politikash dhe interesash, instalacione aktivizmi të kuruar për të na çarë dërrasat me qëndrime politike universale. Shqipëria është e vogël, dhe për pasojë futet niveli më banal në lojë: votat, zgjedhjet, mbështetja publike etj.

Ajola & Harabeli kanë tjetër kusur- qëndron ekskluzivisht tek afërsia familjare me pushtetin. Se dhe sikur të mos ketë bërë asnjë parregullsi, duhen respektuar ca distanca sigurie për t’i lënë njerëzit të marrin frymë pa përqafuar a pështyrë politikanin aktiv. Pra t'i lësh artistët të jenë, e të mos i detyrosh të thonë. Ndërsa ata artistë që kanë një emër të fituar me punë, sikur dhe për sy të botës, s'do duhej ta legjitimonin Harabelin, por t'i rrinin larg.